Zv. kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut i angazhuar për çështje Evropiane, Bujar Osmani sot në rolin e Koordinatorit të shtabeve të vetëqeverisjes lokale të qytetit të Shkupit së bashku me zv. ministrin e Shëndetësisë z.Armend Arsllani, drejtorin e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse vizitoi Spitalin e Përgjithshëm të Strugës ku mbajti takim me disa nga përfaqësuesit e Këshillit Koordinativ të Komunës së Strugës, gjegjësisht drejtorin e Spitalit z. Muhamed Asani dhe shefin e kabinetit të Komunës së Strugës, z. Dashmir Nasufi.
Në takim u diskutua situata e deritanishme shkaktuar nga COVID 19, rastet e reja, rritja e numrit të rasteve, masat e ndërmarrura dhe masat e reja që do të vijojnë në ditët në vazhdim.
Zv. kryeministri Osmani për mediat u shpreh se bazuar në situatën e deritanishme, Qeveria në seancën e sotshme vendosi masa të reja për sa i përket lëvizjes së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut mbrenda javës dhe gjatë fundjavës, dhe porositi se edhe pse situata është nën kontroll, tani është koha të tregohemi edhe më të vëmendshëm dhe ti respektojmë rekomandimet për distancë sociale dhe higjienë personale.
Drejtori për Sëmundje Ngjitëse Dr. Zharko Karaxhoski tha se masa për orën policore vlen për gjithë territorin e RMV-së dhe se nuk ka ndonjë masë të veçantë restriktive për f.Labunishtë deri më tani.
Ndërkaq zv.ministri i Shëndetësisë Armend Arsllani tha se masat merren në bazë të shqyrtimeve të epidemiologëve të cilët janë vazhdimisht në teren dhe theksoi se duhet patur kujdes meqënëse luftojmë me armik të panjohur dhe se për të evituar rritjen e numrit të rasteve duhet ndërgjegjësuar dhe duhet marrë me seriozitet rekomandimet.
Pas mbledhjes në SP Strugë, zv. kryeministri Osmani sëbashku me përfaqësuesit e Këshillit Koordinativ të Komunës së Strugës vazhduan në f.Labunishtë ku u takuan me bashkësinë lokale të Labunishtës për të diskutuar situatën dhe për ti informuar për masat e reja që merren në bazë të mendimeve të epidemiologëve. Zv.kryeministri apeloi që të ketë komunikim mes shtabit lokal dhe popullatës që të mos ketë panik por kujdes dhe respektim të rekomandimeve.
Zyra për marrëdhënie me publikun,
Komuna e Strugës